Azemi: KEDS-i dhe Qeveria po mundohen ta fshehin skandalin me njehsorët

Azemi: KEDS-i dhe Qeveria po mundohen ta fshehin skandalin me njehsorët

Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka deklaruar se sot është ftuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike për të paraqitur dëshmitë që i ka mbledhur në lidhje me rastin e njëhsorëve të energjisë elektrike.

Ai tha se është duke dhënë deklaratën e tij si dëshmitar dhe shpreson që rasti të marrë një zgjidhje të merituar.

“Jam në proces të dëshmisë dhe duke besuar në policinë e Kosovës, prokurorinë e gjykatën, shpresoj që kjo të marrë një zgjidhje të merituar”, tha Azemi.

Ai kritikoi KEDS-in dhe Ministrinë e Industrisë për menaxhimin e rastit, duke thënë se po minimizojnë problematikën.

“Gjithë ky skandal i madh me njehsorët po mundohet me u minimizu nga ana e KEDS dhe qeverisë në këtë rast. Ministria e Industrisë ende po manipulojnë dhe po thonë që devijimet i kanë pranuar disa njehsorë, por nuk po tregojnë ku është problemi”, u shpreh Azemi.

Sipas tij, problemi kryesor është se energjia që duhet të ishte faturuar me çmim më të lirë është faturuar me tarifë të shtrenjtë.

“Kjo është dëshmia kryesore, skandali kryesor. Do të bëj maksimumin që të gjej një zgjidhje, sepse qëllimi kryesor është që t’i kthehen të gjitha paratë që i janë marrë qytetarëve padrejtësisht,” tha Azemi.

Ai gjithashtu ka kërkuar që të mos lejohen ndërhyrje nga KEDS apo Ministria e Industrisë në procedimin e provave, duke e cilësuar këtë si vepër penale.

Azemi tha se hetimet duhet të jenë të pavarura, derisa tha se do të nis një peticion për mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët në tërë Kosovën lidhur me këtë çështje.

LDK pretendon se nga 884 njehsorë të verifikuar sipas tyre, 87% e njehsorëve për matjen e energjisë elektrike faturojnë qytetarët më shtrenjtë edhe kur tarifa është me të lirën. 

Related Articles