Papa Leoni tha se do të vazhdojë të mbajë qëndrim kundër luftës, edhe pas kritikave që i bëri presidenti amerikan, Donald Trump.
“Do të vazhdoj të flas me zë të lartë kundër luftës, duke promovuar paqen, dialogun dhe marrëdhëniet shumëpalëshe mes shteteve, për të gjetur zgjidhje të drejta për problemet”, tha Papa për agjencinë e lajmeve Reuters.
“Shumë njerëz po vuajnë. Shumë njerëz të pafajshëm po vriten. Dhe, mendoj se dikush duhet të ngrihet dhe të thotë se ekziston një mënyrë më e mirë”, tha kreu i Kishës Katolike në bordin e një fluturimi papnor drejt Algjerisë, më 13 prill.
Ai u tha gazetarëve se nuk ka “asnjë frikë nga administrata Trump, apo nga të folurit hapur”.
Presidenti amerikan e kritikoi udhëheqësin katolik më 12 prill, duke thënë se ai “nuk është një fans i madh” dhe duke e akuzuar se “po luan me një vend që dëshiron armë bërthamore”.
“Papa Leoni është I DOBËT ndaj krimit dhe i tmerrshëm në politikën e jashtme”, shkroi Trump në platformën Truth Social.
“Nuk dua një Papë që mendon se është në rregull që Irani të ketë armë bërthamore”, shtoi ai.
Javën e kaluar, Papa Leoni kritikoi kërcënimin e Trumpit se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte” nëse Irani nuk bie dakord për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Duke e përshkruar atë si “vërtet të papranueshme”, ai shtoi:
“Sigurisht që ka çështje të së drejtës ndërkombëtare, por shumë më tepër se aq është një çështje morale”.
