Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni ka njoftuar të premten se kanë nisur punimet në ndërtimin e rrethrrotullimit në kryqëzimin e rrugës transit në dalje të Gjilanit për Prishtinë, e cila qytetarëve u ka krijuar vështirësi në lëvizjen e lirë të mjeteve.
“Pas përfundimit të procedurave administrative dhe lidhjes së kontratës, kemi nisur me intervenimet e para në terren”, tha kryetari i Gjilanit.
Hyseni tha se rrethrrotullimi i ri do të zgjidhë problemin e kolonave të përditshme, duke lehtësuar qarkullimin për të gjithë udhëtarët.
Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Kushtrim Ibrahimi, tha se ky kryqëzim ka shkaktuar kolona të gjata të mjeteve dhe tashmë po i vjen fundit dhe do të zgjidhet problemi.
“Problemet janë evituar, kontrata është nënshkruar dhe kemi nisur punimet dhe së shpejti do të kemi rreth rrotullimin”, tha Ibrahimi.
