Ëndrra e mundësit kosovar Egzon Shala për t’u bërë atleti i parë mashkull nga Kosova që fiton medalje olimpike në Tokio 2020 mori fund të enjten, pasi Geno Petriashvillit e mposhti Amir Hossein Zare në një meç gjysmëfinal në të cilin i mbante shpresat suharekasi.
Shala po e priste rezultatin e duelit gjysmëfinal mes Petriashvillit të Gjeorgjisë dhe Zares së Iranit dhe shpresat e tij për të mbetur në garë për medaljen e bronztë vareshin nga një fitore e mundshme e këtij të fundit.
Petriashvilli e mposhti Zaren në gjysmëfinale dhe e arriti finalen për medalje të artë në kategorinë -125 kilogramë. Shala u mposht pikërisht nga Amir Hossein Zare i Iranit në duelin çerekfinal në kategorinë -125 kilogramë të enjten herët në mëngjes.
30-vjeçari nga Suhareka e kishte fituar luftën e parë ndaj algjerianit Djahid Berrahal, por disfata në çerekfinale nënkupton se ai e humbi mundësinë për të luftuar për medalje të artë apo argjendtë.
Shala ishte garuesi i fundit i Kosovës në Tokio 2020. Kosova u përfaqësua nga 11 atletë në Tokio, prej të cilëve dy fituan medalje të arta. Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova e shkruan historinë duke fituar medalje të arta në kategoritë e tyre përkatëse në xhudo.