Kosova mund të përballet me një situatë të tjetër të ngërçit politik për shkak të moszgjidhjes së presidentit dhe mungesës së kompromisit mes partive, ndërsa rreziku për zgjedhje të reja dhe krizë të thelluar institucionale mbetet real.
Në “Përballje Podcast”, analisti politik Imer Mushkolaj e cilëson këtë situatë si pasojë direkte të dështimit të klasës politike për të marrë përgjegjësi dhe për të arritur marrëveshje.
“Duhet të pajtohemi që kjo është një papërgjegjësi ekstreme e klasës politike… kanë arritë që ta sjellin vendin në një situatë kur tash e gati katër muaj pas zgjedhjeve nuk arrijnë ta zgjedhin një president,” theksoi Mushkolaj gjatë diskutimit me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Ai shton se mungesa e një zgjidhjeje nuk lidhet me pamundësinë për kompromis, por me interesat politike dhe personale të partive.
“Ma shumë se sa përpjekje për me arritë zgjidhje, ka përpjekje për me e fajësu tjetrin,” u shpreh ai.
Mushkolaj vlerëson se përgjegjësia kryesore për situatën aktuale i takon partisë në pushtet, për shkak të peshës që ka në Kuvend.
“Përgjegjësia më e madhe dhe kryesore për krizën është e Vetëvendosjes… nga një parti që ka fitu mbi 50 për qind të votave pritet që me gjetë zgjidhje dhe me ba kompromis,” deklaroi ai.
Sipas tij, mungesa e gatishmërisë për kompromis është një nga problemet kryesore që po e bllokon procesin.
“Z. Kurti nuk është prej atyne që bën kompromis… dëshiron t’i ketë të gjitha për vete dhe kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme,” u shpreh Mushkolaj.
