Analisti politik, Arton Muhaxheri, ka shprehur shqetësim për procesin e miratimit të projektligjit për Byronë e Pasurisë së Pajustifikueshme, shkruan Gazeta “Enigma”.
“Shkeljet procedurale që i kanë ngritur KDI dhe GLPS nuk janë thjesht teknike, por prekin thelbin e procesit ligjvënës. Kur një ligj që ndërhyn në të drejtat pronësore kalon me nxitim, pa debat të mirëfilltë dhe pa transparencë, atëherë kemi problem serioz me standardet demokratike. Kjo tregon një qasje ku pushteti e trajton procedurën si pengesë, jo si garanci”, tha ai për “Enigmën”.
Ai tha se “nxitimi për miratim vështirë të justifikohet ndryshe përveçse si kalkulim politik”.
“Kur injorohen vërejtjet profesionale dhe shtyhet një ligj i ndjeshëm me urgjencë, krijohet bindja se synimi është efekt elektoral dhe jo reformë e qëndrueshme. Kjo e dëmton besimin dhe hap rrugë për përdorim selektiv”, shtoi ai.
Ai shtoi se ky ligj rrezikon seriozisht të rrëzohet përsëri nga Kushtetuesja.
“Në këtë formë, ligji rrezikon seriozisht të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Nëse nuk respektohen parimet bazë si siguria juridike, proporcionaliteti dhe prezumimi i pafajësisë, ai nuk mund të qëndrojë. Një ligj i bërë me ngut zakonisht bie po aq shpejt dhe kjo është përgjegjësi direkte e pushtetit që e ka shtyrë përpara pa i kryer detyrat si duhet”, përfundoi ai.
