Paga e 13-të për punëtorët e RTK-së, Kurti del me sqarime në Kuvend

Paga e 13-të për punëtorët e RTK-së, Kurti del me sqarime në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është përgjigjur pyetjes së deputetes Ariana Musliu Shoshi rreth mosekzekutimit të pagës së 13-të për punëtorët e RTK-së.

Kurti fillimisht tha se ishte i ‘çorientuar’ pasi sipas tij Musliu Shoshi nuk bëri pyetje, por konstatim mbi RTK-në,

“E kisha një hamendësim fillimisht, sepse nuk ishte pyetje meqenëse në fillim të pyetjes ju konstatuat. Cili është kuptimi të bëni pyetje nëse RTK-në e quani Radio Televizioni i Vetëvendosjes, nuk ka pyetje më aty. Me këso konstatimi kapital, s’ka mundësi më për pyetje. Sidoqoftë, kam mirësinë t’iu përgjigjjem meqenëse e kam lexuar pyetjen tuaj paraprakisht.

Kurti, megjithatë iu përgjigj deputetes, Musliu Shoshi duke thënë se RTK është institucion i pavarur dhe se pagat e punëtorëve të saj nuk i ekzekuton Qeveria, por vet institucioni.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, mbështetet në nenin 32 të ligjit 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 që i jep Qeverisë kompetencë që në përputhje me planifikimet buxhetore të ndaj mjete për zyrtarët që kanë qenë të angazhuar së paku për 12 muaj. RTK është institucion publik i pavarur, edhe pse financimi i RTK-së sigurohet përmes Kuvendit i cili mbron autonominë institucionale, kjo nuk nënkupton përfshirje në listën e pagave të administratës shtetërore. Çështjet që lidhen me kompensimet me shpërblimet e punonjësve rregullohen me rregullore të brendshme që Qeveria nuk ndërhyn. Duke qenë se RTK është institucion i pavarur dhe pagat e punonjësve të tij nuk ekzekutohen përmes listës së pagave të organizatave buxhetore, punonjësit e këtij institucioni nuk përfshihen në listën e përfituesve me vendimin e pagës së 13-të i cili i referohet vetëm atyre që janë pjesë e kësaj liste”, tha Kurti.

Related Articles