Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila dënoi me burg të përjetshëm Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq, ndërsa me 30 vite dënoi Dushan Maksimoviq për sulmin terrorist në Banjskë.
Sveçla kërkoi dënim maksimal edhe për të tjerët e përfshirë në këtë sulm e që janë identifikuar në krye me Milan Radoiçiq.
‘Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim. Sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës. Atë ditë, Republika e Kosovës jo vetëm që përballoi terrorizmin, por ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje. Këtë e dëshmojnë faktet dhe provat që dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë”.
Sveçla tha se strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar dhe se rendi kushtetues është mbrojtur.
“Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion”.
Ai shtoi se dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por është “një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe gjithë qytetarët tanë”.
“Ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë: kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë”.
Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu, tha Sveçla, ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin.
