Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në tryezën me temë “Forcimi i integritetit politik përmes digjitalizimit”, prezantoi gjetjet kryesore mbi sfidat ligjore, institucionale dhe digjitale që ndikojnë në integritetin politik në Kosovë.
Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve përkatëse, përfshirë deputetë të Kuvendit të Kosovës, Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, OGP Kosova (Partneriteti për Qeverisje të Hapur), shoqërisë civile dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare në Kosovë për të diskutuar ndërveprimin ndërmjet deklarimit të pasurisë, financimit politik dhe prokurimit publik si tri shtylla themelore të integritetit politik.
Në prezantimin e saj, Diana Metushi-Krasniqi nga KDI theksoi se, pavarësisht progresit të arritur në transparencë, ekosistemi i të dhënave për integritetin politik vazhdon të jetë i shpërndarë dhe jo mjaftueshëm në përputhje me standardet për të dhëna të hapura dhe të përpunueshme, duke pamundësuar llogaridhënien efektive të zyrtarëve publikë.
Analiza e KDI-së tregon se Kosova ka zhvilluar një kornizë ligjore relativisht të avancuar në fushat kyçe të integritetit politik, megjithatë zbatimi mbetet i dobët dhe të dhënat publike vazhdojnë të jenë të fragmentuara, të pa standardizuara dhe të pa ndërlidhura.
“Për më tepër, platforma unike digjitale Integrity Watch Kosova, e lansuar nga KDI vitin e kaluar që ka ndërlidhur të dhëna të ndryshme të integritetit politik, ka dëshmuar se ekzistojnë rreziqe reale të korrupsionit në sektorin publik.
Gjetjet kryesore tregojnë se:
- sistemi i e-Prokurimit mbetet më i avancuari në publikimin e të dhënave për shpenzimin e parasë publike, por mungojnë metadata dhe dokumentimi i plotë i informacionit digjital;
- deklarimet e pasurisë dhe raportet financiare të subjekteve politike publikohen në formate të papërpunueshme, duke kufizuar përdorimin e tyre;
- financimi i subjekteve politike dhe regjistrat e biznesit nuk janë të ndërlidhur me të dhëna të tjera, duke e bërë të vështirë identifikimin e konflikteve të interesit dhe lidhjeve të mundshme me kontratat publike.
Në këtë kontekst, KDI thekson se sistemi aktual prodhon transparencë formale, por jo llogaridhënie reale për shkak se mungon përdorimi aktiv i të dhënave për analizë, dhe vendimmarrje”, thuhet mes tjerash në një jnjoftim të KDI-së
