Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka reaguar Lëvizjes Vetëvendosje pas moskalimit të Buxhetit 2026 sot në Kuvend, duke thënë se LVV mund ta kalonte buxhetin vetë, por ia la fajin opozitës.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami shkroi se buxheti dhe rishikimi i tij kalojnë me shumicë të thjeshtë, duke pasur 61 deputetë prezent, ndërsa LVV ka 66 deputetë.
“Mos bëni propagandë! Buxheti kalon me shumicë të thjeshtë, njëjtë edhe rishikimi i tij. Mjafton të jenë në seancë 61 deputetë prezentë dhe shumica të votojë për. LVV i ka 66 deputetë. Asnjë parti opozitare s’mund ta pengojë Kurtin t’i ndihmojë qytetarët; as në gjashtë vitet e kaluara Kurti s’ka pasur asnjë pengesë. Pengesa e vetme e Kurtit është vetë apetiti i tij për të sunduar”, shkroi Bajrami.
