Një atentat pasditen e së dielës ka tronditur qytetin e Lezhës në Shqipëri.
Si pasojë e të shtënave me armë zjarri në drejtim të një veture, kanë mbetur të vdekur burri dhe gruaja, përkatësisht Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, 39 dhe 32 vjeç.
Çifti, prindër të katër fëmijëve, po udhëtonin në aksin Balldren–Torovicë, kur autorë ende të paidentifikuar u kanë zënë pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të tyre me breshëri plumbash.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:50, në dalje të fshatit Balldren.
“Si pasojë e të shtënave, të dy kanë humbur jetën në vendngjarje. Shërbimet e policisë, pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vend dhe vijojnë kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve”, ka njoftuar policia.
Kreshnik Mujeci ishte një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2017, ai ishte arrestuar së bashku me vëllain e tij, Lin Mujeci, pasi dyshoheshin si autorë të vrasjes së shtetasit Genc Mhillaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2016.
Aktualisht, sipas policisë, grupi hetimor vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
