Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, duke u fokusuar në trajtimin e çështjeve urgjente dhe përcaktimin e hapave fillestarë të procesit zgjedhor, raporton Gazeta “Enigma”.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një përgjigje për Gazetën “Enigma” tha se në këtë fazë, KQZ po planifikon aktivitetet kryesore, afatet kohore dhe buxhetin, ndërsa pritet që vendimet përfundimtare të miratohen menjëherë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur tashmë fazën përgatitore të procesit zgjedhor, duke u angazhuar në trajtimin e të gjitha çështjeve fillestare dhe urgjente që lidhen me organizimin e zgjedhjeve të parakohshme dhe të cilat do të miratohen në mbledhjen e parë pas vendimit për caktimin e datës së zgjedhjeve. Këto përgatitje përfshijnë planifikimin e aktiviteteve zgjedhore, përcaktimin paraprak të afateve kohore, planifikimi i buxhetit si dhe koordinimin me institucionet relevante”, tha Elezi.
“Pasi këto janë zgjedhje të parakohshme, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, organizimi i tyre bëhet me afate të shkurtra kohore dhe një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore apo përshtatja e tyre sipas nevojës, në pajtim me rrethanat dhe kohën në dispozicion të KQZ-së”, deklaroi Elezi.
Tutje ai ka theksuar se të gjitha përgatitjet dhe afatet për këto zgjedhje do të bëhen brenda një kohe të shkurtër.
“Të gjitha afatet e aktiviteteve zgjedhore që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit, do të zhvillohen brenda një kohe të shkurtër. Në këtë drejtim, KQZ do të përcaktojë afatin për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje; afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë; dhe periudhën e fushatës zgjedhore”, tha Elezi për Enigmën.
“Po ashtu, KQZ cakton edhe kohën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta. Pjesë e këtij plani është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave”, tha Elezi.
Fushata për këto zgjedhje është më e shkurtër për shkak të afateve të kufizuara kohore tha Elezi.
“Meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme, periudha e fushatës zgjedhore është më e shkurtër në krahasim me zgjedhjet e rregullta, për shkak të afateve të kufizuara kohore. Në zgjedhjet e fundit të parakohshme, fushata zgjedhore ka zgjatur 11 ditë e 7 orë, ndërkaq për zgjedhjet e radhës, KQZ do të përcaktojë kohëzgjatjen e saj në përputhje me afatin e përgjithshëm kohor në dispozicion të KQZ-së për organizimin e të gjithë procesit zgjedhor”, deklaroi ai.
Kujtojmë se të mërkurën e 29 prillit kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. Radoniqi pas takimit ka thënë se KQZ si datë të zgjedhjeve preferon 7 qershorin.
