Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka reaguar pas raportit të fundit nga organizata britanike prestigjioze “Bar Human Rights Committee of England and Wales”, e cila ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale në Hagë, duke vënë në pikëpyetje standardet e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave themelore të të akuzuarve.
Sipas raportit, ekziston rrezik real që disa procese të mos jenë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për gjykim të drejtë, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike.
OVL-UÇK tha se ky raport konfirmon shqetësimet e tyre ndër vite, për padrejtësitë ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Sipas organizatës, këto përpjekje kanë përfshirë letra drejtuar institucioneve ndërkombëtare, takime me ambasadorë dhe personalitete të rëndësishme, vizita në Parlamentin Evropian, Parlamentin e Zvicrës, takim në Vatikan, protesta kombëtare dhe peticione qytetare.
Organizata i bën thirrje institucioneve ndërkombëtare që të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
