Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, ka realizuar me sukses një operacion në pikën e kalimit kufitar Hani i Elezit, duke parandaluar një rast të kontrabandimit me ar të padeklaruar.
Rreth orës 16:10 të ditës së sotme, mbi bazën e informacioneve inteligjente, policia bëri me dije se është ndaluar për kontroll në vijën e dytë një autobus i linjës së rregullt Serbi – Maqedoni e Veriut, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, me inicialet M.L..
“Gjatë kontrollit të detajuar, në çantën e një pasagjereje (J.H.) janë zbuluar stoli ari të ndryshme (varëse dhe unaza), të fshehura në një qese të mbyllur. Po ashtu, tek drejtuesi i autobusit janë gjetur të fshehura në xhaketën e tij edhe disa rrathë dore dhe një medaljon ari”.
“Pesha totale e arit të sekuestruar është 129.76 gram. I njëjti nuk ishte deklaruar dhe është konfiskuar nga autoritetet doganore për procedura të mëtejshme, ndërsa vlera do të përcaktohet nga njësitë përkatëse të Doganës së Kosovës”, njoftoi Policia.
