Dhjetëra studentë të Akademisë së Policisë në Shqipëri kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë shfaqur simptoma të helmimit, ndërsa dyshimet e para lidhen me konsumimin e ushqimit të kontaminuar në ambientet e institucionit.
Sipas raportimeve nga Shqipëria, 56 studentë janë trajtuar në repartin infektiv, ku shumica janë liruar pas marrjes së ndihmës mjekësore, ndërsa dy prej tyre kanë mbetur nën kujdesin e mjekëve për trajtim të mëtejshëm.
Pas incidentit, autoritetet shëndetësore dhe policore kanë nisur hetimet, duke marrë mostra të ushqimit për analiza laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit.
Në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar teknologun dhe kuzhinierin e kompanisë së kateringut që furnizonte Akademinë me ushqim, ndërsa administratorja e kompanisë është shpallur në kërkim.
