Nëse deri më 30 qershor 2026 Kosova nuk e zbaton Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes, rrezikon të humbasë fonde me vlerë dhjetëra milionëshe të parapara nga Bashkimi Europian.
Aktualisht, vendi nuk ka Kuvend funksional, ndërsa ekziston mundësia që kjo gjendje të vazhdojë edhe gjatë muajit qershor, apo edhe më tej.
Zgjedhjet janë caktuar për 7 qershor, dhe proceset pasuese – numërimi i votave, certifikimi i rezultateve dhe konstituimi i Kuvendit – pritet të zgjasin përtej këtij afati.
Komisioni Europian në një përgjigje për KALLXO.com, tha se Kosova ka të drejtë të përfitojë deri në 882.6 milionë euro, me kusht të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave dhe nëse plotësohen kushtet e përgjithshme dhe parakushtet për pagesë.
Institucioni, shtoi se pas ratifikimit të vonuar të Marrëveshjes për Instrumentin dhe Marrëveshjes së Huasë, Kosovës i duhet të përshpejtojë zbatimin e Agjendës së Reformave për të shmangur humbjen e fondeve që lidhen me hapat reformues, afatet e të cilëve po afrohen.
Në përgjigje, rikujtuan se afati i ardhshëm i raportimit do të jetë më 30 qershor 2026 dhe pas vlerësimit të përmbushjes së hapave të Agjendës së Reformave – me kusht që të jenë plotësuar kushtet e përgjithshme dhe parakushtet – mund të bëhet lëshimi i rregullt i fondeve në kuadër të Planit të Rritjes.
“Me përfundimin e periudhës së parë të tolerimit (grace period) më 30 qershor të këtij viti për 13 hapa reformues, Kosova rrezikon të humbasë fonde nëse nuk shënon progres në zbatimin e Agjendës së Reformave”- shkruan në përgjigje.
Kur Komisioni Europian kishte nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën pas ratifikimit të marrëveshjevem, Qeveria kishte bërë me dije se në Agjendën e vet të Reformave që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike – Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor.
