Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar për një platformë komunikimi me qytetarët, që sipas tij, do të vazhdojë nëpër pjesë të ndryshme të vendit.
Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se me Vjosa Osmanin e nisën sot këtë platformë në Kurriz, Prishtinë.
“Në çdo qytet, në çdo shesh, duam të ulemi pranë qytetarëve e të flasim hapur për jetën e tyre, për brengat, zhgënjimet, shpresat dhe idetë e tyre për vendin. Sepse besojmë se politika nuk duhet të jetojë e mbyllur në zyra, studio televizive apo rrjete sociale. Politika duhet të jetë mes njerëzve.
Kosova ka nevojë për më pak propagandë e më shumë dëgjim. Më pak zhurmë e më shumë kuptim. Dhe pikërisht prej këtyre bisedave duam ta ndërtojmë rrugëtimin tonë të përbashkët përpara”, ka shkruar ai.
