Propozimi i Merz, Konjufca: Integrim në tregun evropian po, por nuk duam dhoma të pritjes në BE

Propozimi i Merz, Konjufca: Integrim në tregun evropian po, por nuk duam dhoma të pritjes në BE

Kosova, dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, morën një lajm shpresëdhënës këtë javë, kur disa vende të Bashkimit Evropian (BE) dolën me një nismë për futjen e tyre në Tregun e Përbashkët Evropian, për t’i shtyrë përpara në rrugën e tyre drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova e mirëpret çdo nismë që synon përshpejtimin e integrimit, por se mbetet skeptike ndaj ideve që mund ta mbajnë atë në një status të ndërmjetëm.

Konjufca thotë se përfshirja në Tregun e Përbashkët Evropian mund të jetë hap përpara, por thekson se nuk ka ende detaje të qarta.

“Ne e mirëpresim çdo plan të ri, i cili e ka për synim integrimin më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian… Pozicion i Kosovës është që ne nuk mbështesim kurrfarë propozimi, i cili krijon dhoma të pritjes në BE”, ka deklaruar Konjufca në një intervistë për REL.

Ai ka deklaruar se i presin detajet gjatë javëve të ardhshme.

“Kjo është e mirëseardhur, por ajo çka është më e rëndësishme në këtë proces, po aq sa ideja, janë edhe detajet, e të cilat ne nuk i kemi ende. Pres që, në javët e ardhshme, këto shtete të shkojnë drejt hollësive dhe detajizimeve sa i përket ecjes përpara”, ka shtuar Konjufca.

Komisioni Evropian ka konfirmuar sot se ka pranuar letrën e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, përmes së cilës ai propozon që Ukrainës t’i jepet statusi i anëtares së asociuar, ndërsa vendeve të Ballkanit Perëndimor statusi i vëzhguesit.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, tha se institucioni që ai përfaqëson e mirëpret faktin që ky diskutim po zhvillohet mes vendeve anëtare dhe inkurajon vazhdimin e debatit në nivel të udhëheqësve të BE-së.

“Kjo tregon se ekziston një përkushtim i fuqishëm i vendeve anëtare që zgjerimi të bëhet realitet sa më shpejt. Është gjithnjë e më e qartë se zgjerimi është investim gjeostrategjik në prosperitetin, paqen dhe sigurinë tonë. Anëtarësimi i Ukrainës në Bashkimin Evropian është po ashtu i lidhur në mënyrë thelbësore me sigurinë e bllokut tonë”, tha Mercier në një konferencë për media.

Në letrën e bërë publike më 21 maj, kancelari gjerman, Friedrich Merz, propozon për Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë qasje të privilegjuar në tregun e përbashkët evropian dhe lidhje më të afërta me institucionet evropiane në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.

Tregu i Përbashkët Evropian është hapësirë, e përbërë kryesisht nga 27 vende anëtare të BE-së, që mundëson lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve, pa rregullore kufitare ose tarifa doganore.

Merz, po ashtu, propozon dhënien e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet relevante të Bashkimit Evropian, si dhe mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian me përfaqësues të rajonit, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të.

“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.

“Të qëndrojmë fort të përkushtuar ndaj premtimit se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian, siç është përcaktuar në Kriteret e Kopenhagës dhe në Agjendën e Selanikut të vitit 2003. Qëllimi ynë nuk ka ndryshuar: kompletimi i Bashkimit Evropian përmes përfshirjes së të gjitha vendeve kandidate”, theksohet në letër.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje dhe Hercgovina dhe Maqedonia e Veriut janë kandidate për anëtarësim, ndërsa Kosova jo.

Sa i përket aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar gati qe katër vjet, Konjufca tha se nuk po trajtohet shkaku i shteteve mosnjohëse dhe dialogut me Serbinë.

“Përgjigjja zyrtare që jep Brukseli, sa herë që e ngremë këtë çështje, është: duhet të punoni më shumë me vendet anëtare. Kur thuhet me vendet anëtare, nënkuptohen vendet mosnjohëse. Ne, vazhdimisht, punojmë me to – me Spanjën, me Greqinë e me të tjerat. Mirëpo, gjithmonë në ato biseda vijnë marrëdhëniet e mira fqinjësore me Serbinë, të cilat mendoj unë – pa fajin tonë – kanë marrë goditje të mëdha të mirëbesimit në këta dy-tre vjetët e fundit, për shkak të sulmeve sikurse ishte ai në Banjskë”, ka thënë Konjufca.

Related Articles