Andres Iniesta drejt fillimit të karrierës si trajner – pritet të marrë drejtimin e Gulf United

Andres Iniesta drejt fillimit të karrierës si trajner – pritet të marrë drejtimin e Gulf United

Legjenda e Barcelonës, Andres Iniesta, pritet që në ditët në vijim të nisë punën e tij të parë si trajner, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij në futboll.

42-vjeçari i dha fund karrierës si futbollist dy vite më parë dhe që prej asaj kohe ka qenë i angazhuar në ndjekjen e kurseve për licencat e trajnerit.

Fillimisht, Iniesta nuk shihej si një kandidat i natyrshëm për t’u futur në botën e trajningut, ndryshe nga ish-bashkëlojtari i tij te Barcelona, Xavi Hernandez, ndërsa më herët kishte lënë të kuptohej se mund të konsideronte edhe rolin e drejtorit sportiv.

Së fundmi, emri i tij ishte përfolur edhe për një mundësi në drejtimin e kombëtares së Marokut, në një rol të dyfishtë si trajner dhe drejtues sportiv, por ajo marrëveshje nuk u finalizua.

Megjithatë, sipas gazetarit të merkatos Fabrizio Romano, Iniesta pritet të rikthehet në Gadishullin Arabik, ku do të marrë drejtimin e skuadrës Gulf United, që garon në divizionin e dytë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Romano raporton se marrëveshja mes palëve tashmë është arritur dhe se nënshkrimi i kontratës pritet të pasojë në ditët në vijim.

Iniesta po ndjek një rrugë të ngjashme me Xavi Hernandez në fillimet e tij si trajner, i cili karrierën e nisi te Al-Saad në Katar.

Spanjolli e kishte mbyllur karrierën si futbollist te Emirates Club, ndërsa nëse aventura e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe rezulton e suksesshme, nuk përjashtohet mundësia e një rikthimi në të ardhmen te Barcelona në një rol drejtues.

Related Articles