Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mirëpritur deklaratën e përbashkët të liderëve fetarë në Kosovë, të cilët përfaqësojnë Bashkësinë Islame, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Kishën Protestante Ungjillore dhe Komunitetin Hebre.
OSBE vlerëson se fakti që liderët e komuniteteve të ndryshme fetare kanë zgjedhur të flasin me një zë të përbashkët përbën një kontribut të rëndësishëm dhe në kohën e duhur për klimën publike në Kosovë, veçanërisht në prag të fillimit të periudhës zgjedhore.
“Misioni e mbështet plotësisht qëndrimin parimor të paraqitur nga liderët fetarë”, thuhet në reagimin e OSBE-së.
Me nisjen e fushatës zgjedhore, OSBE-ja rikujtoi gjithashtu rëndësinë e respektimit të zotimeve të marra përmes Deklaratës për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dhunës ndaj Grave në Politikë dhe Jetë Publike.
“Sigurimi i një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës është thelbësor që gratë të marrin pjesë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë në proceset zgjedhore dhe politike”, thekson Misioni i OSBE-së në Kosovë.
Tutje, në reagim thuhet se këto zotime nuk duhet të mbeten vetëm simbolike, por duhet të shoqërohen me veprime konkrete gjatë gjithë fushatës zgjedhore dhe më tej.
“Këto angazhime mbartin obligim për veprim dhe Misioni nënvizon domosdoshmërinë e përkthimit të tyre në sjellje konkrete gjatë fushatës dhe përtej saj”
Dje, udhëheqësit fetar në Kosovë, nga Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike kanë dal me një deklaratë të përbashkët përmes se cilës kanë riafirmuar përkushtimin e përbashkët për paqen, dinjitetin njerëzor dhe respektin ndërmjet të gjithë njerëzve.
Në deklaratë të cilën e ka publikuar Bashkësia Islame e Kosovës, u bëhet thirrje akterëve politikë, institucioneve e qytetarëve që të përdoret gjuhë e matur, respektim për vajzat dhe gratë, refuzim i nxitjes së urrejtjes.
Deklarata e plotë:
Ne, udhëheqësit fetarë të Kosovës – Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike – që përfaqësojmë bashkësi të ndryshme fetare, riafirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për paqen, dinjitetin njerëzor dhe respektin ndërmjet të gjithë njerëzve.
Ne e njohim rëndësinë e vlerave demokratike dhe nevojën për një klimë publike të përgjegjshme, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë akterëve politikë, institucioneve dhe qytetarëve që të respektojnë parimet në vijim:
- Gjuha e respektit dhe dinjitetit
Kërkojmë përdorimin e një gjuhe të respektueshme dhe të matur në debatin publik; ndalimin e fyerjeve, poshtërimit dhe sulmeve personale ndaj të tjerëve; si dhe një kulturë dialogu të bazuar në dinjitet dhe respekt të ndërsjellë.
- Respekti për gratë dhe vajzat
Kërkojmë tolerancë zero ndaj gjuhës seksiste ose mizogjene; refuzim të stereotipeve të dëmshme dhe sulmeve të bazuara në gjini; si dhe respekt të barabartë, zë dhe pjesëmarrje për gratë dhe vajzat në jetën publike.
- Refuzimi i gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes
Kërkojmë mospërdorimin e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve apo nxitjes së dhunës; respekt për diversitetin etnik, fetar dhe social; si dhe përpjekje aktive për të mbrojtur paqen shoqërore dhe besimin ndërmjet komuniteteve.
- E vërteta dhe integriteti në jetën publike
Kërkojmë ndershmëri dhe saktësi në komunikimin publik; refuzim të dezinformimit dhe manipulimit; si dhe respekt për ligjin dhe standardet demokratike.
- Komunikim i përgjegjshëm
Kërkojmë sjellje etike në media dhe në platformat sociale; ndalimin e abuzimit online, bullizmit dhe gjuhës poshtëruese; si dhe udhëheqje që vendos një ton të qetë dhe të përgjegjshëm.
- Përgjegjësi e përbashkët
U bëjmë thirrje të gjithë liderëve dhe qytetarëve të respektojnë këto parime gjatë gjithë periudhës zgjedhore; të udhëheqin të tjerët përmes shembullit; dhe të punojnë së bashku për të mbrojtur strukturën demokratike dhe shoqërore të Kosovës.
Si udhëheqës fetarë, ne flasim me një zë për këtë: fjalët kanë rëndësi. Ato formësojnë sjelljen. Ato ndajnë ose bashkojnë. I bëjmë thirrje të gjithëve në jetën publike të zgjedhin respektin, të vërtetën dhe përgjegjësinë.
