Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherësh kandidati për kryeministër, Albin Kurti, e ka cilësuar si prioritet të mandatit të ardhshëm autostradën Duhël – Shtime – Banullë.
Përmes një video në Facebook, ai ka premtuar ndërtimin e Digës së Carralevës dhe Firajës me qëllim sigurimin e furnizimit me ujë dhe potencial zhvillimor për bujqësinë dhe ekonominë lokale në Shtime.
Kurti ka folur edhe për planet për zhvillim ekonomik bazuar në standardet e Bashkimit Evropian.
“Do të vazhdojmë me rritjen e eksporteve, zëvendësimin e importeve me certifikim, standardizim, formim të organizatave të prodhuesve dhe kooperativave bashkëkohore të bujqve ashtu qysh i ka Bashkimi Evropian” – tha ai.
Ndërkohë, gjatë një tubimi në Prishtinë, ai ka theksuar se “katër vitet e fundit kanë qenë vite të forcimit të shtetit, investimeve dhe zhvillimit, me fokus të veçantë në sektorë që për shumë kohë kishin mbetur në margjina, si mbrojtja, bujqësia, arsimi, mirëqenia e familjes dhe zhvillimi ekonomik”.
Me këtë rast, ai tha se “mandati i ardhshëm do të jetë mandat i projekteve të mëdha zhvillimore dhe transformimit ekonomik të vendit”.
Kurti shtoi se zhvillimi ekonomik do të ecë paralelisht me investime të rëndësishme infrastrukturore dhe energjetike, gjithmonë në funksion të mirëqenies së qytetarëve dhe forcimit të shtetit.
Fushata zgjedhore ka filluar më 28.05.2026 ndërsa pritet të zgjasë deri në hapjen e vendvotimeve në ditën e zgjedhjeve më 07.06.2026.
Lista e votuesve përbëhet nga 2 milionë e 92 mijë e 174 votues derisa në këtë listë janë 15 mijë e 884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur më 28.12.2025.
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 qendra të votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, ndërsa ai jashtë vendit do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata
