Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh pesë personave të dyshuar për përfshirje në veprimtari të krimit të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe pastrim parash.
Bëhet fjalë për: Denis Sharapolli nga Peja; Remzi Rexhepi nga Prishtina; Burim Duriqi nga Prishtina; Besim Ismajli nga Prishtina; Ilir Bojniku nga Prishtina.
Sipas aktvendimit të siguruar nga Sinjali, të njëjtit dyshohen për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe për veprën penale të shpëlarjes së parave.
Dokumenti zbulon se hetimet ndaj të dyshuarve kishin nisur më 2 qershor 2026, ndërsa ata ishin ndaluar më 9 qershor, për t’u paraqitur më pas para gjyqtares së procedurës paraprake më 10 qershor, ku është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit.
Të dyshuarit do të qëndrojnë në paraburgim për 30 ditë, ndërsa hetimet për këtë rast pritet të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim.
