Drejtori i përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, ka thënë se hetuesit e policisë që ishin pjesë e Task-forcës Anti-korrupsion, të shuar nga Qeveria e kaluar, janë angazhuar në Njësinë për Hetimin e Rasteve të Veçanta në kuadër të Departamentit të Hetimeve.
Ai ka thënë se të gjitha lëndët që ishin në duart e hetuesve të Task-forcës po hetohen nga të njëjtit hetues në strukturën e re të Policisë derisa lëndët e tyre do të trajtohen pastaj nga prokurorët e Prokurorisë Speciale.
“As nuk ka pasë ndarje të lëndëve diku tjetër. E vazhdojnë punën e tyre, i vazhdojnë lëndët e tyre”, ka thënë Mehmeti në intervistën dhënë emisionit “Betimi për Drejtësi.
Mirëpo, shtesat që hetuesit kanë marrë si pjesë e Task-forcës u janë ndaluar.
“Kur është hequr vendimi është hequr edhe shtesa”, ka thënë Mehmeti.
Shefi i Policisë ka thënë se pas shuarjes së Task-forcës ka nisur procesi i trajtimit të lëndëve në mënyrë ligjore dhe në afate ligjore.
Veç kësaj, Mehmeti ka thënë se pas shuarjes së Task-forcës i gjithë foksi ka qenë që të krijohet siguri juridike për hetuesit pasi vendimi i Qeverisë kishte konstatuar se një mekanizëm i tillë ishte i paligjshëm.
“Elementi i tretë ka qenë që kjo njësi të vendoset diku brenda strukturës së Policisë dhe të jetë në aspektin ligjor e rregulluar. Kjo edhe ka ndodhur. Njësia për Hetimin e Rasteve të Veçanta është në kuadër të Departamentit të Hetimeve. Është rregulluar me marrëveshje që ka qenë me Prokurorinë Speciale që lëndët që këta hetues i kanë të trajtohen nga prokurorët specialë”, ka thënë ai.
Përpos lëndëve që janë trashëguar, Mehmeti ka thënë se hetuesit e njëjtë po marrin edhe raste të reja.
Mehmeti nuk ka dhënë përgjigje se sa hetuesit ka Njësia e Veçantë por vetëm ka thënë se ka personel të mjaftueshëm për hetimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.
“Janë të njëjtit”, ka shtuar ai.
Task-forca kundër korrupsion ishte themeluar në shkurt të 2010-ës dhe ishte shuar në tetor të 2020-ës. Në vendimin e themelimit ishte paraparë të ishin 30 hetues dhe pesë ekspertë, për të cilët do të ndaheshin edhe shtesa.
Dy raporte ishin hartuar për Task-forcën – njëra nge BE e tjetra nga SHBA-ja – ku kishin rekomanduar fuqizimin e këtij mekanizmi brenda Policisë së Kosovës. Edhe EULEX-i kishte rekomanduar ngritjen e kapacitetet e Task-forcës për të pasur edhe më shumë rezultate në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. IKD kishte kundërshtuar shuarjen e Task-forcës pa u bërë një analizë dhe ka koordinim me ndërkombëtarët që kanë investuar në ngritjen e kapaciteteve të këtij mekanizmi për të zbardhur krimin dhe korrupsionin. Kjo Tas-forcë kishte hetuar profilin e lartë të krimit dhe korrupsionit në Kosovë derisa cak kishin qenë figura të lartë të partive kryesore politikë në Kosovë.
“Një prej objektivave kryesor të Policisë së Kosovës mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Objektiv themelor i joni është me pasë shumë më shumë efikasitet në këtë luftë”, ka thënë Mehmeti./Gazeta Enigma/