Bilanci tragjik i aksidentit në Jabllanicë thellohet – vdes edhe pasagjerja që po luftonte për jetën

Bilanci tragjik i aksidentit në Jabllanicë thellohet – vdes edhe pasagjerja që po luftonte për jetën

Një aksident i rëndë që ndodhi dy ditë më parë në rrugën Pejë-Klinë ka marrë edhe një jetë tjetër, duke e çuar në dy numrin e viktimave të kësaj tragjedie rrugore.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Ava Bajramaj e cila kishte mbetur e lënduar rëndë në aksidentin e 15 qershorit dhe po trajtohej në Spitalin e Pejës, ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të së martës.

Aksidenti kishte ndodhur në fshatin Jabllanicë e Leshanit, ku sipas hetimeve fillestare, një BMW me targa të huaja, që drejtohej nga Shaban Bajramaj, kishte kaluar në korsinë e kundërt të lëvizjes dhe ishte përplasur ballë për ballë me një Audi.

Si pasojë e përplasjes së fuqishme, përveç dëmeve të mëdha materiale, ishin lënduar rëndë tre persona.

Në mesin e viktimave është edhe Bujar Rexhaj, ndërsa pasagjerja e BMW-së, e cila po luftonte për jetën që nga dita e aksidentit, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Për vdekjen e saj janë njoftuar Prokurorja e rastit dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.

Një devijim në korsinë e kundërt, dy familje të goditura nga tragjedia dhe dy jetë të humbura. Bilanci i aksidentit në Jabllanicë po bëhet gjithnjë e më i rëndë.

Related Articles