Mblidhet kryesia e PDK-së, nisin përgatitjet për procesin e brendshëm zgjedhor

Mblidhet kryesia e PDK-së, nisin përgatitjet për procesin e brendshëm zgjedhor

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e organizimit partiak, nga nëndegët deri te zgjedhja e kryetarit të partisë.

Sipas një komunikate të PDK-së, kryetari i partisë, Bedri Hamza, ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të një procesi korrekt dhe transparent, duke garantuar standarde të larta demokratike në çdo fazë të zgjedhjeve të brendshme.

“Bedri Hamza theksoi rëndësinë e një procesi korrekt dhe transparent, duke garantuar përmbajtje dhe standarde të larta demokratike në çdo hap të tij”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të përgatitjeve, Kryesia ka vendosur formimin e një grupi punues, i cili do të jetë përgjegjës për aspektet teknike dhe ligjore të organizimit të zgjedhjeve.

“U vendos formimi i një grupi punues, i cili do të ketë përgjegjësi për përgatitjen teknike dhe ligjore të këtij procesi zgjedhor. Ky grup do të kujdeset për orientimin, mbarëvajtjen dhe strategjinë e përgjithshme, duke siguruar që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe të drejtë”, theksohet në komunikatë.

Sipas vendimit të Kryesisë, procesi i zgjedhjeve të brendshme pritet të nisë gjatë muajit shtator, me qëllim që strukturat partiake të kenë kohë të mjaftueshme për përgatitje.

“Afati i përcaktuar për fillimin e zgjedhjeve të brendshme është muaji shtator, duke i dhënë kohë të mjaftueshme strukturave organizative për përgatitje të plotë dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet më tej.

Kryesia e PDK-së ka riafirmuar angazhimin për zhvillimin e një procesi demokratik dhe përfaqësues, në përputhje me standardet e partisë.

“Kryesia e PDK-së riafirmoi përkushtimin e saj për një proces demokratik, të drejtë dhe përfaqësues, në përputhje me standardet dhe traditën politike të PDK-së”, thotë komunikata.

Related Articles