Sqarohet Haziri, thotë se Osmani mbetet i vetmi propozim i LDK-së për presidente 

Sqarohet Haziri, thotë se Osmani mbetet i vetmi propozim i LDK-së për presidente 

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë një sqarim rreth deklaratave të tij dhënë për Radion Evropa e Lirë, ku ka thënë se votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e kësaj partie dhe jo përtej saj dhe se emra unifikues në parti janë ai ose kryetari Lumir Abdixhiku. 

Në një “sqarim për interesimin e publikut”, të postuar në rrjetin social Facebook Haziri ka thënë se ish-presidentja Vjosa Osmani, mbetet i vetmi propozim i LDK-së për presidente. 

“Asgjë s’ka ndryshuar. Nominimi për presidente i Vjosa Osmanit mbetet i vetmi emër nga radhët e LDK-së. Në kuadër të debatit paszgjedhor, në emër të LDK-së kam paraqitur parimet gjithëpërfshirëse dhe modalitetet për bashkëpunim të mundshëm, për krijimin e stabilitetit politik dhe institucional”, ka shkruar Haziri. 

Ai ka thënë se Abdixhiku mbetet adresa e vetme për zhvillimin e proceseve politike në të ardhmen e afërt. 

“Kërkesat politike, ndërkaq, çfarëdo natyre qofshin, do të trajtohen brenda strukturave legale të LDK-së. Demokracia është barazvlefshme me lirinë dhe pavarësinë e Republikës. Kauza ‘një parti, një shtet’ është kauzë e humbur. Askush mbi Republikën!”, ka shkruar Haziri. 

Radio Evropa e Lirë të mërkurën ka shkruar se LDK-ja mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.

Kështu sipas raportimit ka thënë Haziri. REl ka shkruar se sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, citohet të ketë thënë Haziri.

Related Articles