MSh-ja e IKShPK-ja nuk e dinë numrin e pacientëve të shtrirë nga ethet e minjve

MSh-ja e IKShPK-ja nuk e dinë numrin e pacientëve të shtrirë nga ethet e minjve

Gati çdo vit, për shkak të temperaturave të larta e kushteve jo të mira higjienike, në Kosovë përhapet sëmundja e etheve të minjve nga brejtësit.


E apel për kujdes nga ky infektim ka bërë edhe këtë verë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, i cili ka njoftuar se ajo përhapet me anë të ushqimit, gazrave të pezulluara, gjegjësisht “aerosolëve”, dhe me anë të kontaktit.

Simptomat e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse janë: sindroma renale sporadike apo dështimi i veshkave dhe ethet hemorragjike, respektivisht sëmundja e njëpasnjëshme e disa organeve në trup, nga e cila më së shumti dëmtohet sistemi i qarkullimit të gjakut.

“Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesia gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojnë sëmundje vdekjeprurëse”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Përderisa viteve të kaluara IKSHPK-ja ka bërë të ditur se kjo sëmundje është më e prirë të përhapet në rajonet malore si Dukagjin, Karadak dhe Shalë, këtë verë ata kanë deklaruar se ende nuk kanë të dhëna më të hollësishme.

IKSHPK-ja thotë se si masa parandaluese janë mbajtja e higjienës personale dhe e mjedisit, përpunimi teknik i ushqimit, kujdesi nga brejtësit dhe dezinfektimi i sipërfaqeve të prekura nga ta./Gazeta Enigma/

Related Articles