Sinjali ka mësuar identitetin e personit që është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në rastin e rëndë që tronditi Ferizajn mbrëmjen e së dielës, ku një 32-vjeçar u gjet pa shenja jete në një banesë në lagjen “Intercon”.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari është Muhamet Begisholli rreth 48 vjeç, i cili, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Vrasje e rëndë”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:40 në rrugën “Sejdi Sejdiu”, në katin e nëntë të një objekti banesor. Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur pa shenja jete F.H. 32-vjeç. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje.
Sipas burimeve, viktima kishte një plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Pranë trupit është gjetur një pistoletë, e cila është sekuestruar së bashku me një gëzhojë në kuadër të ekzaminimeve forenzike.
Në kuadër të hetimeve është ndaluar edhe A. R rreth 24 vjeç, vajza e Muhamet Begishollit, e cila kishte pësuar lëndime trupore dhe, për shkak të gjendjes shëndetësore, është dërguar në Repartin e Psikiatrisë në QKUK. Edhe ndaj saj Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh.
Ndërkaq, H. R, bashkëshortja e Muhamet Begishollit dhe nëna e A. R, në këtë fazë të hetimeve është trajtuar në cilësinë e dëshmitares dhe ende nuk është intervistuar.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
