Trajneri i mirënjohur kosovar, Adil Maliqi, i cili numëron mbi 13 vjet karrierë të suksesshme si teknik në shtetin e Zvicrës, ka nisur një rrugëtim të ri. Ai ka hapur zyrtarisht Shkollën e Futbollit “LA FLAX”, e cila do ta zhvillojë veprimtarinë e saj në një lokacion strategjik mes qyteteve të Cyrihut dhe Lucernit.

Ish-përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës U19 bëri të ditur se ky projekt ambicioz ka nisur tashmë prej një muaji. Për të ngritur këtë akademi, Maliqi ka bashkuar forcat me dy bashkëpunëtorë të ngushtë: shtetasin zviceran Flavio Raeber dhe Lulzim Hasanin, i cili ka prejardhje nga qyteti i Ferizajt.
I njohur si një trajner motivues dhe thellësisht i pasionuar pas zhvillimit të lojtarëve të rinj, Maliqi thekson se “LA FLAX” do të jetë një burim i rëndësishëm i talentëve të së ardhmes.

“Jam i pasionuar pas kategorive të reja. Vetëm brenda 5 viteve si trajner, kam arritur që rreth 40 futbollistë nga kategoritë e reja t’i transferoj në klubet më të mëdha zvicerane,” u shpreh Maliqi. “Së bashku me Flavio Raeber dhe Lulzim Hasanin, po hapim një kapitull dhe një sfidë të re për futbollistët e së ardhmes.”
Synimi i shkollës është që t’u ofrojë kushte evropiane stërvitjeje si fëmijëve të diasporës shqiptare ashtu edhe atyre zviceranë. Maliqi garanton një ambient profesional pune për çdo të ri që ëndërron një karrierë sportive.
“Shkolla jonë posedon të gjitha parametrat e një shkolle moderne me gjithë stafin e saj. Do t’ju jepet mundësia të gjithë të interesuarve, e sidomos futbollistëve nga diaspora, për të cilët kjo do të jetë një çerdhe e futbollit. Po ashtu, kemi interesim edhe nga grupmoshat zvicerane të cilat kërkojnë të jenë pjesë e shkollës sonë. Ju premtoj se tek ne do të punohet vetëm në mënyrë profesioniste për të ardhmen e talentëve të rinj,” deklaroi trajneri.
Puna profesionale e Adil Maliqit flet përmes rezultateve të tij ndër vite. Deri më tani, ai ka udhëhequr me sukses grupmoshat e disa klubeve të njohura në Zvicër, si: Grasshoppers Club Zurich, FC Winterthur, SV Würenlos, FC Rapperswil-Jona (U20) – ku udhëhoqi grupmoshat e këtij klubi drejt garave të Play-Off-it me shumë sukses.
Përtej klubeve zvicerane, Maliqi bëri histori me Kombëtaren e Kosovës U19. Për afro dy vite, ai korri suksese të mëdha në garat ndërkombëtare, duke u cilësuar si një nga trajnerët më të suksesshëm në të gjitha kategoritë e përfaqësueseve të Kosovës. Performanca e tij si përzgjedhës la përshtypje të jashtëzakonshme si tek vetë futbollistët, ashtu edhe tek njohësit dhe analistët e futbollit.
Me hapjen e “LA FLAX”, Maliqi synon të vazhdojë këtë traditë suksesi, duke gjetur dhe formuar yjet e rinj që nesër do të shkëlqejnë në arenat evropiane. Të gjitha aktivitetet e shkollës do të qendërzohen mes Cyrihut dhe Lucernit, duke ofruar qasje të lehtë për talentët e të dyja rajoneve.
