Komuna e Istogut kërkon rihapjen e menjëhershme të “Vitës”: Mbyllja godet fermerët dhe ekonominë lokale

Komuna e Istogut kërkon rihapjen e menjëhershme të “Vitës”: Mbyllja godet fermerët dhe ekonominë lokale

Komuna e Istogut ka reaguar pas vendimit për mbylljen e qumështores “Vita”, duke e cilësuar këtë veprim si një goditje të rëndë për ekonominë e komunës dhe fermerët vendorë.

Përmes një reagimi publik, Komuna tha se mbyllja e qumështores ka shkaktuar shqetësim të madh, pasi prek drejtpërdrejt fermerët, qindra punëtorë dhe të gjithë zinxhirin e prodhimit të qumështit.

“Vita është një nga kompanitë më të mëdha të industrisë së qumështit në Kosovë dhe partneri kryesor i shumë fermerëve të komunës sonë. Çdo ndërprerje e funksionimit të saj sjell pasoja të menjëhershme ekonomike për familjet që jetojnë nga prodhimi dhe grumbullimi i qumështit”, thuhet në reagim.

Komuna, duke iu referuar kryetarit Ilir Ferati, bëri të ditur se ai ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën dhe pasojat e këtij veprimi, i cili, sipas saj, ka krijuar pasiguri të madhe për fermerët dhe punëtorët.

Po ashtu, kryetari Ferati ka kërkuar hapjen e menjëhershme të qumështores, në mënyrë që të mos dëmtohen fermerët, punëtorët dhe ekonomia lokale, ndërsa çdo çështje tjetër të trajtohet në rrugë institucionale dhe me transparencë të plotë.

Komuna e Istogut theksoi se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të fermerëve, punëtorëve dhe prodhimit vendor, duke e cilësuar këtë të fundit si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të komunës.

Related Articles