Ka marrë fund rasti i zhdukjes së një të miture nga Prishtina, e cila ishte raportuar e zhdukur nga familja që nga mesi i muajit qershor, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për E.B., 16 vjeçare, largimin e së cilës e kishte raportuar babai i saj, M. M., 46 vjeçar.
Sipas kallëzimit, e mitura ishte larguar nga shtëpia më 16 qershor 2026 dhe nuk ishte kthyer më. Babai kishte deklaruar se nuk ishte hera e parë që ajo largohej nga shtëpia dhe se nuk kishte as telefon mobil, çka e kishte bërë të pamundur kontaktin me të.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti ishte iniciuar si “Person i zhdukur”, ndërsa Policia kishte nisur kërkimet.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, më 5 korrik, e mitura është paraqitur vetë në Stacionin Policor “Veriu” në Prishtinë, ku është intervistuar në prani të prindit dhe përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale (QPS).
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është vendosur që e mitura të kthehet në familjen e saj, duke mbyllur kështu rastin e raportuar si person i zhdukur.
