Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka qëndruar sot në Drenas, ku në stadiumin e qytetit, “Rexhep Rexhepi”, ka prezantuar kandidatin e PDK-së për kryetar të ardhshëm të Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Krasniqi tha se për 20 vite me radhë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Drenasi kanë rrugëtuar bashkë, në ditë të mira, e në ditë të vështira, por kurrë nuk janë ndalur.
Lideri i opozitës tha se me qeverisjen e PDK-së, Drenasi që ndodhet në zemër të Kosovës ka përjetuar zhvillim të hovshëm e transformim për të vazhduar me sukses rritjen e perspektivës ekonomike për të gjithë qytetarët.
“E di se kurrë nuk është mjaftueshëm dhe ka shumë për t’u bërë. Por është për çdo ditë më mirë se që ka qenë. E unë ju zotohem sot, se do bëhet shumë më mirë se që është. Merita për këtë ka gjithsecili prej jush. Gjithsecili qytetar. Por pa dyshim se meritë të madhe ka kryetari Ramiz Lladrovci, i cili jo veç që ka qeverisur, por ka qeverisur mirë. Qeverisja e tij është vlerësuar si model edhe nga institucionet qendrore të Republikës, për çka ne jemi krenar. Por shumë ma e rëndësishme se kaq, është vlerësimi i qytetarëve të Drenasit. Besimi i tyre. Vullneti i tyre për zhvillim”, tha Krasniqi.
Lideri i opozitës ka folur në Drenas edhe për profilin e kryetarit Ramiz Lladroci që e kanë vlerësuar të gjitha instancat mbikqyrëse të qeverisjes lokale, por edhe për dimensionin kombëtar e kontributin e tij dhe familjes së tij për çlirim.
“Ai është bashkëluftëtar i Adem Jasharit e bashkë organizator i ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mik e bashkë udhëtar në rrugën e lirisë me dy ish liderët tanë, Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Jo vetëm vëlla por bashkëluftëtar i heronjve të kombit Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Rasim Kiçinës e qindra dëshmorëve të UÇK-së. Njeriu i juaj, ai që ia do të mirën Drenasit dhe që me të në krye të Drenasit, do bëjmë punë që do na qesin faqebardhë”, tha ai.
Kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka folur në Drenas edhe për situatën politike dhe mendimet ndryshe brenda kësaj Dege.
“Çdo kush ka të drejtë të mendojë e ofrojë alternativë dhe ne e njohim dhe respektojmë këtë të drejtë. Ne i kemi mirëkuptuar edhe disa anëtarë të Degës dhe individë të tjerë që kanë dalë me propozime për kandidatë.
Përballë kësaj situate, ne kemi mirëkuptuar edhe aktin e djeshëm të Kryetarit të Degës, z. Sejdi Hoxha, i cili ka bërë punë të madhe në degën tonë në Drenas. Por ne nuk duhet të harrojmë një gjë. Siç nuk mund të mendohet PDK-ja pa Drenasin, as Drenasi nuk mund të mendohet pa PDK-në. Formati i kësaj lidhje të fuqishme mes PDK-së dhe Drenasit, e tejkalon raportin politik. I tejkalon ambiciet, i tejkalon interesat, sepse është mbi ambicie e mbi interesa. Prandaj para të gjitha këtyre, ne kemi mirëkuptuar qytetarin, nevojat e tij dhe të ardhmen e tij. Prandaj PDK-ja qëndron me qytetarin dhe alternativën për të cilën ai ka nevojë”, tha Krasniqi.
“Ramiz Lladrovci, jo veç që është alternativë, por edhe lokomotivë e zhvillimit që na pret.
Ky është zotimi i tij. Ky është zotimi i PDK-së.
Ne kemi përgjegjësi për të qenë bashkë e së bashku ta bëjmë më të mirën për Drenasin. Prandaj ne presim dhe duam t’iu shohim të bashkuar. Sepse vetëm të bashkuar ia kemi dalë. Të bashkuar do t’ia dalim pa asnjë dyshim. Prandaj ju ftoj që të jemi unik dhe të pandashëm, në përgjegjësinë e re që na pret.
Ia kemi borxh liderëve tanë që fatkeqësisht nuk janë me ne, që Drenasin ta nxjerrim në tjetër nivel. I kemi borxh qytetarëve që për 20 vite kurrë s’janë ndalë e kanë besuar PDK-në dhe njerëzit e saj, që Drenasin ta bëjmë qendër të zhvillimit, ku bizneset rriten e zhvillohen. Ku të rinjtë gjejnë punë e perspektivë. Ky është borxhi që kemi, dhe këtë borxh, do t’ua kthejmë me punë e angazhim”, tha Krasniqi.
Nga ana tjetër, kandidati i PDK-së për kryetar të ardhshëm të Drenasit, Ramiz Lladrovci falënderoi kryetarin Memli Krasniqi për besimin e dhënë dhe për vlerësimin e qeverisjes së deritashme.
“Sot, si gjithmonë, jemi unik për PDK-në, jemi të bashkuar për vizionin politik dhe të kaluarën historike të liderëve tanë që fizikisht nuk janë me neve, por ne nuk harrojmë. Historia e Republikës nuk mund të rishkruhet, sepse ne jemi vijues të vizionit të liderëve tanë, të idealit shembullor për liri, për shtetformim e shtetndërtim, sepse ne dimë ta çojmë përpara shtetin dhe shtetësinë. Ne jemi këtu për ta dëshmuar, për ta rikonfirmuar fitoren, për ta thënë përgjithmonë, Drenasi ka qenë djep i UÇK-së, sot e përgjithmonë, bastion i PDK-së”, tha Lladrovci./Gazeta Enigma/