Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ndaj Iranit, duke synuar objektiva ushtarake që, sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), lidhen me kapacitetet e përdorura për sulme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Pas njoftimit të palës amerikane, mediat shtetërore iraniane raportuan për shpërthime në provincën Hormozgan, përfshirë zonat Bemani, Bandar Abbas dhe ishullin Qeshm.
CENTCOM bëri të ditur se operacioni është zhvilluar si pjesë e përpjekjeve për të dobësuar aftësitë ushtarake iraniane në rajon.
Ndërkohë, në qytetin portual Bushehr janë aktivizuar sistemet e mbrojtjes ajrore, ndërsa autoritetet lokale kanë deklaruar se nuk janë raportuar viktima apo dëme nga incidentet.
Bushehri konsiderohet një zonë me rëndësi strategjike për Iranin, pasi aty ndodhet centrali kryesor bërthamor i vendit në brigjet e Gjirit Persik.
Situata mes SHBA-së dhe Iranit mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek me shqetësim zhvillimet e reja në rajon.
