Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka deklaruar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë, i caktuar për të enjten, do të jetë një moment vendimtar për drejtimin e ardhshëm të LDK-së.
Pas vendimit të kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, për thirrjen e Kuvendit ku pritet të diskutohet vazhdimi i mandatit të tij në krye të LDK-së, Gashi ka thënë se kjo mbledhje tejkalon një procedurë të zakonshme statutare.
Përmes një reagimi në Facebook, ai ka theksuar se delegatët do të përcaktojnë jo vetëm të ardhmen e strukturave drejtuese të partisë, por edhe mënyrën se si LDK-ja do të pozicionohet në skenën politike.
Sipas Gashit, në këtë proces duhet të dominojnë arsyeja, vizioni dhe interesat afatgjata të partisë, duke kërkuar një LDK me identitet të qartë, lidership të fuqishëm dhe përkushtim ndaj vlerave të saj.
Ai ka shtuar se vendimet që do të merren të enjten do të kenë ndikim përtej momentit aktual dhe do të përcaktojnë raportin e LDK-së me qytetarët dhe rolin e saj në të ardhmen e vendit.
“Kosova ka nevojë për një LDK të fortë”, ka shkruar Gashi, duke bërë thirrje për vendime që, sipas tij, do të ndihmojnë në rikthimin e besimit te kjo parti.
