Një grua është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së dielës në fshatin Pataqan i Epërm të Rahovecit, ndërsa rasti është marrë në hetim nga organet kompetente.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Hazbije Bellaqa (61-vjeçar).
Sipas informacioneve, rreth orës 20:00, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Rahovec ka njoftuar Policinë se 61-vjeçarja ishte dërguar nga familjarët në urgjencë pa shenja jete, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj.
Sipas deklarimit të kunatit të viktimës, Hazbije Bellaqa ishte gjetur e shtrirë në shtëpinë e saj, ku në atë moment kishte qenë e vetme, pasi bashkëshorti ndodhej jashtë shtëpisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të Stacionit Policor në Rahovec, hetuesit rajonalë dhe ekipet përkatëse, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, me qëllim të sqarimit të shkakut të vdekjes.
