Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të dyshuarit nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Pas përfundimit të intervistimit, Aliu para gazetarëve tha se ndihet “i lehtësuar” që iu dha mundësia të flasë për këtë çështje para Prokurorisë.
Aliu i cilësoi si sulme e pretendime akuzat ndaj tij.
“Është lehtësim që pas dy vitesh heshtje pata mundësinë me e marrë dhe për ta sqaruar situatën para Prokurorisë për gjithë atë sulm dhe pretendim të vazhdueshëm ndaj meje, i cili ka degraduar aq shumë saqë unë jam përgjigjur me heshtje deri tani. Para mundësinë ta sqaroj se për gjithë procesin dhe periudhën sa kam qenë ministër, unë kam vepruar në përputhje me ligjin, kam vepruar sipas rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Nuk ka asnjë vendim, i cili mund të më ndërlidh mua me këtë proces. Po ashtu, me pretendimin për mosveprim, i tërë rasti ka qenë i audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit dhe ka pasë rekomandimeve që është vepruar në bazë të tyre, ka pasë auditim të brendshëm dhe hetim që e qartëson pozitën e ministrit si staf politik karshi punës në administratë. Ka qenë rast i mirë që pata mundësinë ta sqaroj nga fillimi deri në fund gjithë punën dhe tash jam i lehtësuar”.
Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore 2021-2024 në cilësinë e personit zyrtar, derisa ishte ministër, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për t’i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
Ai dyshohet se ka qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj Ministrie të pandehurit, Izedin Bytyqi e Naser Hafizi, vepruan në kundërshtim të plotë me rregullat, procedurat e ligjet në lidhje me llogaritjen e borxheve.
Aliu dyshohet se ka lejuar që operatorëve ekonomikë t’u zvogëlohen borxhet me qëllim përfitimi, duke e dëmtuar buxhetin e shtetit.
Aliu dha dorëheqje në gusht të vitit 2025 pas mospajtimit për zgjedhjen e bashkëpartiakut të tij atëherë, Dimal Basha, kryeparlamentar.
Aktualisht, ai mban pozitën e drejtorit të portit të Durrësit në Shqipëri.
