Më 10, 11 dhe 14 shtator 2026 janë caktuar datat për mbajtjen e deklaratave përmbyllëse në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit për administrimin e drejtësisë, ka njoftuar Gjykata Speciale në një komunikatë për media.
Sipas Aktakuzës, midis 2 korrikut 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut informacion konfidencial lidhur me dëshmitarë të Prokurorisë dhe tentoi bashkë me ta, si dhe me persona të tjerë ndaj të cilëve nuk janë ngritur akuza, të ndikojë në dëshmitë e disa dëshmitarëve.
Në aktakuzë gjithashtu pretendohet se “z. Thaçi bëri marrëveshje me z. Kuçi që ky i fundit të kontaktonte dëshmitarë të Prokurorisë në gjykimin për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, në kundërshtim me urdhrin që ua ndalonte atyre të bënin këtë jashtë kushteve të caktuara. Z. Kuçi pretendohet gjithashtu se kontaktoi edhe një tjetër dëshmitar të Prokurorisë me nismën e vet”.
Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për vepra penale kundër rendit publik (tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare) dhe tetë akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (shkelje e fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës).
Ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut janë ngritur, për secilin, një akuzë për vepra penale kundër rendit publik (tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare) dhe një akuzë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).
Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike (mosbindje ndaj gjykatës).
