23 mbetjet mortore në Zubin Potok, Ambasada britanike: Mbështesim përpjekjet për identifikimin e të pagjeturve

23 mbetjet mortore në Zubin Potok, Ambasada britanike: Mbështesim përpjekjet për identifikimin e të pagjeturve

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur mbështetje për familjet e personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, duke theksuar rëndësinë e zbardhjes së fatit të tyre pas shumë vitesh pasigurie.

Në reagimin e saj, Ambasada Britanike ka mirëpritur punën e autoriteteve të Kosovës për nxjerrjen e mbetjeve mortore në komunën e Zubin Potokut, si dhe kryerjen e ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe testeve të ADN-së për identifikimin e tyre.

“Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë familjeve të atyre që ende janë të zhdukur nga konflikti i viteve 1998-1999 dhe mbështet përpjekjet për të gjetur përgjigje për ta pas shumë vitesh pasigurie”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Prej më shumë se një muaji, në tri lokacione në zonën e Zubin Potokut po zhvillohen gërmime nën dyshimet për ekzistimin e varrezave masive.

Deri më tani janë gjetur mbetje eshtrore të 23 personave.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ky numër përkon me atë që njihet si “grupi i intelektualëve”, ndërsa procesi i identifikimit të mbetjeve po vazhdon.

Related Articles