Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili akuzohej për përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Pas shpalljes së aktgjykimit lirues, avokatja e Konjufcës, Arbnora Zeqiri, tha se vendimi konfirmon se përgjegjësia penale duhet të mbështetet në ligj dhe prova.
“Gjykata sapo shpalli aktgjykim lirues për të mbrojturin tim, Glauk Konjufca, lidhur me veprën penale për të cilën ishte akuzuar, përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm. E mirëpresim këtë si një vendim të drejtë, me të cilin gjykata sërish e vendosi përgjegjësinë penale aty ku duhet të jetë te ligji dhe provat.Përgjegjësia penale kërkon që të provohen të gjitha elementet e veprës penale për të cilën është ngritur akuza. Andaj, ne si mbrojtje konsiderojmë se Prokuroria nuk ka pasur një bazë të qëndrueshme provuese mbi të cilën gjykata do të mund të shqiptonte ndonjë vendim tjetër, përveç atij që shpalli sot”, tha ajo
