“Jo”, Hoti i prerë kur pyetet a do ta votojë Bekim Sejdiun për President

“Jo”, Hoti i prerë kur pyetet a do ta votojë Bekim Sejdiun për President

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i tha Gazetës Express ne nuk do ta votojë Bekim Sejdiun për President të vendit.

I pyetur nëse do ta votojë Sejdiun për President, ish-kryeministri u përgjigj shkurt: “JO”.

Sejdiu kishte qenë gjyqtar raportues në rastin kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr prej Hotit në vitin 2020.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pati sot një takim në Kuvend me kryeministrin në detyrë, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për finalizimin e marrëveshjes për kandidatin për President.

Pas takimit, Abdixhiku tha në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin se bënë “punë të mirë dhe të mbarë” për vendin me gjetjen e këtij kandidati.

Abdixhiku shkroi më pas në Facebook se emri i Sejdiut “u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”.

Kandidatin e përbashkët, ai e cilësoi si njeri “me integritet, maturi dhe pavarësi – nga secila palë”.

“LDK-ja do ta mbështesë këtë marrëveshje me bindjen se shteti është më i rëndësishëm se çdo interes partiak”, shkroi Abdixhiku, ndërsa nesër pritet të mbahet një mbldhje e Kryesisë e më pas e Grupit Parlamentar në partinë më të vjetër në vend.

Related Articles