Një re e dendur tymi toksik ka përfshirë pjesë të Indonezisë dhe është përhapur edhe në Malajzi, Singapor dhe Filipine, ndërsa zjarret që kanë nisur prej javësh vazhdojnë të djegin zona të mëdha.
Miliona njerëz në pjesë të ndryshme të Azisë Juglindore janë ekspozuar ndaj smogut. Në disa zona, ndotja e ajrit ka arritur nivele të klasifikuara si “akutisht të pashëndetshme”, duke tejkaluar më shumë se 15 herë nivelin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Shumë prej zjarreve vazhdojnë të jenë aktive në Sumatra dhe në ishullin Borneo të Indonezisë që nga mesi i korrikut. Përhapja e tyre është favorizuar nga kushtet e thata të shkaktuara nga fenomeni klimatik El Niño, i cili këtë vit është veçanërisht i fuqishëm.
Mes korrikut dhe gushtit, Ministria e Shëndetësisë e Indonezisë regjistroi më shumë se 50 mijë raste të infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes të lidhura me zjarret në pyje dhe në toka. Mbi 12 mijë prej këtyre rasteve ishin fëmijë nën moshën pesë vjeç.
Rizma Nur Fatimah, 19-vjeçare dhe asistente mësuese në një shkollë në Banjarbaru, në Kalimantanin Jugor, i tha BBC-së se tymi në klasën e saj ishte bërë aq i dendur sa “nuk mund të shihje as këmbët e tua”.
“Edhe brenda shtëpisë, me gjithçka të mbyllur, tymi përsëri hynte”, tha ajo. “Kemi jetuar me këtë që kur kam lindur. Është njësoj çdo vit, ndaj pothuajse jemi dorëzuar përballë kësaj. Por këtë vit është më keq.”
Misbah, një nënë 23-vjeçare nga fshati Pengayuan, tha se vajza e saj trevjeçare kishte nisur të kishte kollë, dhimbje fyti dhe rrjedhje hundësh gjatë kohës së smogut, rapo
Edhe rreth 1,300 kilometra larg, në provincën ishullore Palawan të Filipineve, banorët kanë raportuar simptoma të ngjashme, përfshirë irritim të syve, hundës dhe fytit.
“Mendoj se tani po përjetojmë dhimbje të lehta koke. Kushërira ime, e cila nuk është alergjike ndaj asgjëje, filloi të zhvillojë alergji. Burri im ishte i pari që pati kruajtje të syve dhe fytit”, tha Dr. Precious Bañas-Melad.
Ndërkohë, në Malajzi janë raportuar rritje të rasteve të astmës dhe konjuktivitit, në një kohë kur cilësia e ajrit është përkeqësuar në të gjithë vendin për shkak të tymit që po kalon kufirin nga Indonezia.
Zjarret në pyjet dhe tokat torfike të Indonezisë nuk janë një fenomen i ri. Ekspertët thonë se problemi lidhet me ndryshimet në përdorimin e tokës që kanë nisur prej dekadash, veçanërisht gjatë epokës së Suhartos, kur zona të mëdha të pyjeve tropikale dhe tokave torfike në Kalimantan u hapën për prerje pyjesh, plantacione dhe projekte të mëdha zhvillimore.
Sot, zjarret në shkallë të gjerë lidhen shpesh me zgjerimin e plantacioneve industriale dhe përdorime të tjera komerciale të tokës. Organizatat mjedisore, studiuesit dhe hetimet qeveritare kanë ngritur vazhdimisht shqetësime se disa kompani përdorin djegien si një mënyrë të lirë dhe efikase për pastrimin e sipërfaqeve të mëdha të tokës.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse thatësira dhe fenomeni El Niño ndihmojnë në përhapjen e zjarreve, përmasat e krizës së smogut lidhen gjithashtu me aktivitetin njerëzor.
Tokat torfike të thara, plantacionet industriale të drurit dhe plantacionet e palmës së vajit e bëjnë tokën më të prekshme ndaj zjarreve, të cilat shpesh përsëriten në të njëjtat zona.
Ndryshe nga djegiet tradicionale në shkallë të vogël, të menaxhuara nga komunitetet lokale dhe të kontrolluara me kujdes, zjarret që lidhen me zhvillimin e madh të tokës janë shumë më të vështira për t’u kontrolluar dhe mund të shkaktojnë pasoja shumë më të mëdha për mjedisin dhe shëndetin publik.
Veçanërisht shqetësuese janë zjarret në Borneon indonezian, ku ndodhet një prej ekosistemeve më të mëdha të tokave tropikale torfike në botë.
Në kushte normale, këto toka torfike funksionojnë si rezervuarë gjigantë të karbonit. Por në kushte të jashtëzakonshme, si ato që po përjeton aktualisht rajoni, ato mund të shndërrohen në burime masive të emetimeve të karbonit, duke e përkeqësuar më tej krizën klimatike.
