Miss Austria 2024, Lucia Sisic, ka ndërruar jetë papritur në moshën vetëm 22-vjeçare.
Lajmi për vdekjen e saj është konfirmuar nga familjarë dhe miq të afërt, të cilët kanë shprehur dhimbjen përmes postimeve në rrjetet sociale. Shkaku i saktë i vdekjes së 22-vjeçares ende nuk është bërë i ditur.
Sisic, e cila ishte nga Vjena, kishte lindur me një problem në valvulën e zemrës dhe gjatë jetës kishte kryer shtatë ndërhyrje kirurgjikale në zemër, raportojnë mediat lokale.
Pavarësisht problemeve shëndetësore, ajo kishte folur hapur për sfidat me të cilat ishte përballur që në fëmijëri.
“Fëmijëria ime ishte thjesht ndryshe, por kjo më bëri edhe më të fortë”, kishte deklaruar Sisic në një intervistë në vitin 2024.
Po atë vit, ajo u kurorëzua me titullin Miss Austria, të cilin e mbajti deri në momentin e vdekjes.
Pas triumfit në konkursin e bukurisë, Sisic kishte shprehur mirënjohje të veçantë për ekipin e kardiologjisë që e kishte trajtuar ndër vite.
Në një postim në Instagram, ajo kishte falënderuar mjekët që, sipas saj, “e kishin shpëtuar jetën” në shumë raste dhe i kishin mundësuar të përjetonte një jetë të plotë.
“Jam krenare që nuk u dorëzova, edhe pse kishte shumë arsye për ta bërë këtë”, kishte shkruar ajo, duke theksuar se një “faleminderit” nuk ishte i mjaftueshëm për të shprehur mirënjohjen ndaj mjekëve që e kishin trajtuar.
Vdekja e papritur e 22-vjeçares ka prekur familjarët, miqtë dhe shumë prej atyre që e kishin ndjekur rrugëtimin e saj si Miss Austria.
