Deputetja e zgjedhur e LDK’së, Hykmete Bajrami, i është kundërpërgjigjur kreut të partisë, Lumir Abdixhiku, i cili sot përmes një statusi në profilin e tij në ‘facebook’ ka thënë se po shihet hapur se ambiciet e kundërshtarëve të tij janë për pushtet të brendshëm në parti dhe jo për parime.
Bajrami e ka quajtur Abdixhikun si humbës të trefishtë të zgjedhjeve dhe njeri që e ka degraduar dhe përçarë partinë.
Ajo i është përgjigjur direkt Abdixhikut duke i thënë se është njeriu i fundit që mund të flas për parime, ambicie, shtet e pushtet.
Deputetja Bajrami ia ka numëruar Abdixhikut humbjet e zgjedhjeve dhe ia ka rikujtuar zotimet e tij për largim nga kreu i partisë.
“Një humbës i trefishtë, humbës i zgjedhjeve të njëpasnjëshme, i degradimit dhe i përçarjes së partisë, po flet për parime, shtet, dhe ambiciet në LDK.
Mbrëmë u rezervova të flisja për kryetarin e LDK-së, dhe kam munguar në medie që një kohë pikërisht për ta ruajtur shtëpinë time. Por më lejoni sot t’i përgjigjem me argumente:
Ju jeni i fundit, ama bash i fundit, që mund të flisni për parime, ambicie, shtet e pushtet, sepse parimet maten me përgjegjësi.
Kur i humbët në zgjedhjet e para, duhej ta mbanit premtimin dhe zotimin publik për t’u larguar.
Kur e përsëritët humbjen, duhej të merrnit përgjegjësi dhe t’i hapnit rrugë një udhëheqjeje tjetër.
Dhe kur shënuat një tjetër rekord humbjesh më 7 qershor, duhej të largoheshit nga udhëheqja e LDK-së, kokulur.”, ka shkruar Bajrami.
“Po, është e saktë se shteti nuk rrotullohet rreth një ambicieje personale. Por shteti sot po rrotullohet nga një pushtet që po e nëpërkëmb rendin kushtetues, ligjor dhe institucional, ndërsa çdo ditë përpiqet t’i kapë e t’i kontrollojë institucionet.
Dhe pikërisht për ta ndalur këtë degradim, ambicieve të kujtdo për rrënimin e LDK-së duhet t’u themi STOP”, ka shkruar tutje Bajrami.
