Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, kanë dënuar pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë serbë në varrimin e ish-gjeneralit serb Ratko Mlladiq në Beograd.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të martën, dy drejtuesit e institucioneve kryesore të Bashkimit Evropian i cilësuan pamjet nga ceremonia si “shokuese”.
“Ratko Mlladiq ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, thuhet në deklaratë.
Mlladiq, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, vdiq në fund të gushtit në moshën 84-vjeçare, ndërsa vuante dënimin e përjetshëm në një qendër paraburgimi të OKB-së në Hagë.
Pas vdekjes, trupi i tij u transportua drejt Beogradit me një avion të Qeverisë së Serbisë. Në ceremoni u përdorën nderime ushtarake, ndërsa në rreshtat e parë u panë edhe disa ministra të Qeverisë serbe.
Mlladiq u varros i mbështjellë me flamurin serb, ndërsa ceremonia u përcoll edhe nga transmetuesi publik serb dhe Kisha Ortodokse Serbe.
BE-ja ka kritikuar veçanërisht faktin se figura të larta shtetërore serbe morën pjesë në ceremoninë e një personi të dënuar për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime të tjera gjatë luftës në Bosnje.
“Elementet e mbështetjes zyrtare dhe prania e disa zyrtarëve të lartë serbë në funeral janë thellësisht për t’u ardhur keq”, thuhet më tej në deklaratë.
Çështja pritet të ketë pasoja edhe për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Një diplomat i BE-së i tha Euronews se, pas glorifikimit të Mlladiqit, hapja e Klasterit 3 të negociatave për anëtarësim është “plotësisht jashtë diskutimit për momentin”.
Në korrik, Komisioni Evropian kishte tentuar të rikthente në diskutim hapjen e Klasterit 3, por tetë shtete anëtare e bllokuan këtë hap, duke përmendur shqetësimet për sundimin e ligjit dhe mosrespektimin nga Serbia të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Ndërkohë, Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi.
Në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq ka bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme parlamentare që pritet të mbahen në fund të tetorit.
