Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka diskutuar sot me ambasadorin jorezident të Norvegjisë në Kosovë, Arne Sannes Bjornstad, për situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Në takimin mes tyre, vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimeve të fundit politike dhe seancës së sotme konstituive, ndërsa Abdixhiku e ka njoftuar ambasadorin për qëndrimin e LDK-së për situatën aktuale.
Sipas LDK-së, Abdixhiku ka shpjeguar pozicionin e partisë dhe parimet mbi të cilat ajo po e ndërton qëndrimin e saj, duke theksuar se ato, sipas tij, janë në funksion të mbrojtjes së interesit të Republikës së Kosovës dhe funksionalitetit të institucioneve.
Në takim është diskutuar edhe nevoja për tejkalimin e ngërçit politik dhe krijimin e kushteve që institucionet e Kosovës të mund të funksionojnë në mënyrë të qëndrueshme.
Abdixhiku ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen e vazhdueshme të Norvegjisë për Kosovën, duke shprehur gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.
