Në mungesë të të akuzuarit Princ Valentino Corleone, ka dështuar seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Corlone akuzohet për shitblerje të narkotikëve.
Gjykatësi Agim Kuçi tha se për të akuzuarin Corleone më 8 shtator 2026 është lëshuar urdhëresë për sjellje me shoqërim nga Policia e Kosovë- Stacioni Policor në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Por, Kuçi tha se urdhëresa nuk është realizuar dhe se arsyen e mosrealizimit të saj deri më tani nuk e kanë pranuar.
Avokati i Corleones, Ahmet Tahiri tha se për seancën e kaluar, i akuzuari e ka njoftuar se ka munguar për arsye shëndetësore të bashkëshortes së tij. Ndërkaq tha se dje e sot nuk ia ka hapur telefonin.
Andaj, në këto rrethana, gjykatësi Kuçi tha se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm gjyqësor, dhe seanca u shty për një datë tjetër.
Për palët prezente, njoftimi në këtë seancë do të shëbejë si ftesë e rregullt, kurse për Corleonen do të lëshohet urdhëresë që prezenca e tij të sigurohet përmes Stacionit Policor në Gjilan. Dhe se për mosrealizimin e urdhëresës së kaluar, do të njoftohet komandanti i Stacionit Policor në Gjilan.
Të pranishëm ishin prokurorja Dulina Hamiti dhe avokati Tahiri.
Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Agim Kuçi- kryetar dhe anëtarët Gent Beka dhe Adnan Kamberi.
Ndryshe në seancën fillestare të 22 prillit 2025, Princ Valentino Corleone është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për shitblerje të narkotikëve.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës të ngritur më 29 qershor 2023, i pandehuri Princ Valentino Corleone akuzohet se pa autorizim ka poseduar substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, substanca psikotrope, analoge, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ashtu që më 17 mars 2023, rreth orës 20:30 në fshatin Çagllavicë- Komuna e Prishtinës, derisa ishte në një motel në shoqëri të dy vajzave, i pandehuri Princ Valentino Corleone e ka kontaktuar një vajzë tjetër, duke i thënë “hajde me e ngreh ndonjë vi kokë”.
Aktakuza thotë se vajza në fjalë më pas kishte shkuar dhe i pandehuri ia kishte dhënë një sasi kokaine për ta konsumuar. Kokainë kishte konsumuar ajo dhe njëra prej dy vajzave që kishin qenë fillimisht me të. Kurse, gjatë kontrollit nga ana e Policisë, të pandehurit Corleone i janë gjetur një dozë dhe një qese me substancë narkotike të llojit kokainë me peshë të përgjithshme prej 0.39 gramë.
Me këtë, Princ Valentino Corleone po akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 par. 1 të Kodit Penal.
