Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka folur para qytetarëve të mbledhur në qytet, të cilët po presin shpalljen e verdiktit përfundimtar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ai tha se, pavarësisht frikës, qytetarët mbeten të vendosur dhe optimistë se katër ish-drejtuesit e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm.
“Shpresa gjithmonë ekziston, frika është megjithatë. Ne jemi të vendosur dhe të bindur se krerët e UÇK-së do të shpallen të pafajshëm dhe do t’i kthehen Kosovës”, tha ai për Klan Kosova.
Kryetari i Skenderajt theksoi gjithashtu se qytetarët janë mbledhur për ta pritur vendimin, duke e lidhur praninë e tyre me rolin që Thaçi ka pasur si ish-president i Kosovës dhe një prej drejtuesve të UÇK-së.
“Qytetarët janë të vendosur dhe të bindur që ta presin presidentin e vendit. Jo pse presidenti është i këtij vendi, por mendoj se ka qenë president i Kosovës dhe një prej drejtuesve të UÇK-së. Prandaj… ne qëndrojmë pranë atyre që i kanë dhënë vendit të vet”, u shpreh ai.
