Akt heroik në Prizren: Hetuesi policor Vehap Morina çarmatos të dyshuarin dhe plagoset me thikë gjatë ndërhyrjes

Akt heroik në Prizren: Hetuesi policor Vehap Morina çarmatos të dyshuarin dhe plagoset me thikë gjatë ndërhyrjes

jë përleshje e rrezikshme në Prizren mund të kishte marrë përmasa shumë më të rënda, po të mos ishte ndërhyrja e shpejtë dhe e guximshme e një zyrtari policor, i cili arriti ta çarmatosë njërin prej të dyshuarve, por gjatë përballjes mbeti vetë i plagosur me thikë.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për hetuesin policor Vehap Morina, i cili ka ndërhyrë në momentet më kritike të incidentit.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se situata kishte eskaluar deri në atë pikë sa njëri prej të dyshuarve mbante armë në dorë, ndërsa në përleshje ishte përdorur edhe thika.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se njëri nga personat e përfshirë në përleshjen është Leotrim Fanaj, i cili dyshohet se ai e ka filluar përleshjen dhe më pas e ka nxjerrë armën e zjarrit.

Në ato momente, Morina ka ndërhyrë drejtpërdrejt, i është afruar personit të armatosur, Leotrim Fanajt dhe ka arritur t’ia marrë armën nga dora, duke e çarmatosur.

Por ndërhyrja nuk ka kaluar pa pasoja.

Gjatë përplasjes, zyrtari policor është plagosur me thikë në dorë, duke pësuar lëndime për të cilat është dërguar për trajtim mjekësor.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pas marrjes së ndihmës mjekësore, Morina është liruar për në shtëpi.

Ndërhyrja e tij po vlerësohet si një veprim i guximshëm dhe profesional, pasi ai është futur drejtpërdrejt në një situatë me rrezik të lartë, ku prania e armës dhe thikës mund të kishte sjellë pasoja edhe më të rënda.

Morina nuk është tërhequr përballë rrezikut. Përkundrazi, ka ndërhyrë, ka arritur ta çarmatosë të dyshuarin dhe ka kontribuar që situata të vihej nën kontroll, ndonëse vetë ka dalë i plagosur nga ndërhyrja.

Në një ditë kur vëmendja është përqendruar te vetë incidenti, një emër meriton të veçohet për mënyrën se si reagoi në terren, Vehap Morina, hetuesi policor që iu përball personit të armatosur, ia mori armën nga dora dhe u plagos gjatë ndërhyrjes.

Hetimet për ngjarjen po vazhdojnë.

Related Articles