Tetë parti politike shqiptare në jug të Serbisë janë bashkuar në listën e përbashkët zgjedhore, të quajtur “Koalicioni Shqiptar”, me synimin për të siguruar përfaqësim më të madh në Kuvendin e Serbisë dhe për të adresuar problemet e komunitetit shqiptar.
Shaip Kamberi, lider i Partisë për Veprim Demokratik dhe përfaqësuesi i vetëm shqiptar në në Kuvendin e Serbisë, thotë se synojnë rritjen e përfaqësimit politik të shqiptarëve në Kuvend.
“Është koha që të kemi fuqi më të madhe politike, pasi që në realitet e kemi atë, të jemi të përfaqësuar me një numër më të madh deputetësh në Kuvend, në mënyrë që të përpiqemi t’i zgjidhim problemet tona”, tha për Radion Evropa e Lirë Shaip Kamberi, lider i Partisë për Veprim Demokratik.
I pyetur se çfarë do të jetë baza e pjesëmarrjes së tyre, Kamberi tha se ajo do të jetë respektimi i marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë.
“Jemi dakorduar që baza e kërkesave tona të jetë plani me shtatë pika, të cilin Qeveria e Serbisë e miratoi në qershor të vitit 2013, duke iu referuar marrëveshjeve të mëhershme, të cilat, me ndërmjetësimin e OSBE-së, janë nënshkruar ndërmjet përfaqësuesve të shqiptarëve dhe Qeverisë së Serbisë”, tha ai.
Plani me shtatë pika parasheh përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore, rimëkëmbjen ekonomike të komunave të Luginës së Preshevës, përdorimin zyrtar të gjuhës, shkrimit dhe simboleve kombëtare shqiptare.
Ai parasheh gjithashtu decentralizimin në sistemin e drejtësisë, sigurinë dhe masat për ndërtimin e besimit, si dhe çështjet që lidhen me arsimin, mediat, kulturën, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.
Listës “Koalicionit Shqiptar” do t’i prijë Shaip Kamberi. Bartësi i dytë do të jetë nga Alternativa për Ndryshim, ndërsa i treti nga Partia Demokratike.
Sipas Kamberit, është arritur marrëveshje edhe për veprimin e përbashkët pas zgjedhjeve.
“Deputetët do të qëndrojnë së bashku dhe do të përpiqen që, me disa parti të tjera me të cilat na lidh veprimi i përbashkët, të formojnë grup parlamentar”, shtoi ai.
I pyetur për vlerësimin e Kurtit se shqiptarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet të kenë së paku pesë vende të garantuara në Kuvendin e Serbisë,, Kamberi tha se përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Serbi luftojnë për një, më së shumti dy mandate, e në disa raste edhe për tre, dhe se ai konsideron se kjo është “shumë larg asaj se sa shqiptarë ka në Serbi”.
