“Zgjedhja e saj shmangu zgjedhjet e reja” – Si u raportua në mediat ndërkombëtare zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës presidente?

“Zgjedhja e saj shmangu zgjedhjet e reja” – Si u raportua në mediat ndërkombëtare zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës presidente?

Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e presidentes së Kosovës ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, të cilat e kanë lidhur këtë zhvillim me marrëveshjen politike mes pushtetit dhe opozitës.

Në raportimet e tyre, agjencitë dhe mediat ndërkombëtare kanë vënë theksin te fakti se zgjedhja e presidentes së re i dha fund një periudhe të gjatë të krizës institucionale dhe shmangu mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Reuters e ka paraqitur zgjedhjen e Shiroka-Pulës si një zhvillim që i mundësoi Kosovës të shmangte një tjetër palë zgjedhjesh të parakohshme.

Agjencia raportoi se Shiroka-Pula mori 81 vota, vetëm një më shumë se dy të tretat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, ndërsa votimi u zhvillua pak para përfundimit të afatit kushtetues.

Sipas Reutersit, rezultati erdhi pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Në raportimin e saj, agjencia amerikane e lidhi këtë marrëveshje edhe me ndryshimet e miratuara në ligjin për Dhomat e Specializuara, duke rikujtuar protestat e zhvilluara ditët e fundit dhe përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Një tjetër agjenci e madhe amerikane, Associated Press (AP), e vendosi zgjedhjen e Shiroka-Pulës në kontekstin e krizës së gjatë politike në Kosovë.

AP theksoi se vendi kishte kaluar më shumë se 19 muaj në bllokim institucional dhe kishte mbajtur dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Sipas kësaj agjencie, Shiroka-Pula ishte kandidate e minutës së fundit, e mbështetur nga pushteti dhe opozita. AP veçoi gjithashtu faktin se ajo është presidentja e tretë grua e Kosovës që nga paslufta.

Në raportim u përmendën edhe protestat e zhvilluara pranë Kuvendit, të cilat lidhen me kërkesat për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ndërkohë, Al Jazeera e ka cilësuar marrëveshjen për zgjedhjen e presidentes si një kompromis pragmatik, i arritur me synimin për stabilizimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

Kjo medie ka cituar analisten Donika Emini, e cila e ka parë zgjedhjen si një përpjekje për stabilizimin e institucioneve, në një kohë kur në Kosovë ka lodhje nga zgjedhjet dhe pakënaqësi ndaj klasës politike.

Në anën tjetër, AFP e ka vënë theksin te marrëveshja e arritur në minutat e fundit mes kryeministrit Albin Kurti dhe partisë më të madhe opozitare.

Sipas agjencisë franceze të lajmeve, marrëveshja siguroi shumicën prej dy të tretash të nevojshme për zgjedhjen e presidentes, ndërsa në këmbim u miratuan ndryshimet në ligjin për Dhomat e Specializuara.

Miratimi i ndryshimeve u shoqërua me festime nga mijëra protestues të mbledhur pranë Kuvendit. Në Prishtinë pati edhe fishekzjarrë pas përfundimit të procesit.

AFP ka sqaruar se ndryshimet e miratuara nuk prekin dënimet aktuale të Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, të cilët kanë paralajmëruar se do t’i apelojnë vendimet në Apel.

Related Articles